StartseitePortaliKalenderFAQSuchen...MitgliederNutzergruppenAnmeldenLogin

Austausch | 
 

 Shqipja Standarde

Vorheriges Thema anzeigen Nächstes Thema anzeigen Nach unten 
AutorNachricht
Peja-Boy



Numri I Postimeve : 216
Data e Regjistrimit : 08.06.09
Mosha : 35
Vendbanimi : Österreich

BeitragThema: Shqipja Standarde   Fr 12 Jun 2009, 21:04

Shqipja standarde

Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar (gjuha standarte), si varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proces i gjatë, që ka filluar që në shekujt XVI-XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.

Në vitin 1824 Naum Veqilharxhi filloi punën për të krijuar alfabetin shqip dhe në vitin 1844 dhe 1845 u botua “Evetar”-i. Vaqilharxhi ishte i pari që shprehu qëllimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nëpërmjet traktatit të tij, parathënies së “Evetar”-it të parë dhe shumë shkrimeve të tjera. Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojshme, zinin një vend qendror. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.

Në vitin 1879, u krijua “Shoqata e të shtypurit shkronja shqip”, që i dha një shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar i gjuhës shqipe, që është “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin Kristoforidhit, i botuar pas vdekjes së autorit, më 1904. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, u përvijuan dy variante letrare të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. U bënë gjithashtu, përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjidhur, ishte njësimi i alfabetit. Deri atëherë, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabeti latin, alfabeti grek, alfabeti turko-arab dhe alfabete të veçanta. Këtë detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit, i mbledhur më 14 deri më 22 Nëntor të vitit 1908, në qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni. Ne këtë Kongres, pas shumë diskutimesh, u vendos që të përdorej një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht në alfabetin latin, i plotësuar me nëntë digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë), është alfabeti që ka edhe sot në përdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lire edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte mjaft përhapje, por koha ja lëshoi vendin alfabetit të ri, që u paraqit në Kongres, pra alfabetit të sotëm.

Një hap tjetër për njëhsimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në formimin e një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në përdorim, vlerësoi variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar. Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën letrare e për drejtshkrimin e saj, u miratuan më vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) dhe vijuan te zbatoheshin deri në Luftën e Dytë Botërore.

Pas Luftës së dytë Botërore, puna për njëhsimin e gjuhës letrare kombëtare (gjuhës standarde) dhe të drejtshkrimit të saj, nisi të organizohet nga Instituti i Shkencave. U krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve të drejtshkrimit. Kështu, u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953 e 1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore në vitin 1952, për të diskutuar për problemin e gjuhës letrare.

Më 1967, u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të gjithë hapësirën shqiptare, në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Mal të Zi. Ndërkohë, përpjekje për njehsimin e gjuhës letrare dhe të drejtshkrimit të saj, bëheshin edhe në Kosovë. Në vitin 1968, u mblodh Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila, e udhëhequr nga parimi “një komb-një gjuhë letrare”, vendosi që projekti i ortografisë i vitit 1968, posa të miratohej e të merrte formën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, do të zbatohej edhe në Kosovë. Vendimet e kësaj Konsulte kanë qenë me rëndësi të jashtëzakonshme për njësimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe.

Projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes “ i vitit 1967, pas një diskutimi publik, ai u paraqit për diskutim në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes, që u mblodh në Tiranë, në vitin 1972, i cili ka hyrë në historinë e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, si Kongresi i njësimit të gjuhës letrare kombëtare. Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes, në të cilin morrën pjesë delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi dhe nga arbëreshët e Italisë, pasi analizoi të gjithë punën e bërë deri atëherë për njësimin e gjuhës letrare, miratoi një rezolutë, në të cilën përveç të tjerash, pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”.

Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarde), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut. Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg vepra të rëndësishme, që përcaktojnë normat e gjuhës standarde, siç janë “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare (1980), Fjalori i shqipes së sotme (1984), Fjalori Drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika e gjuhës së sotme shqipe, I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997).
Nach oben Nach unten
Benutzerprofil anzeigen
 
Shqipja Standarde
Vorheriges Thema anzeigen Nächstes Thema anzeigen Nach oben 
Seite 1 von 1

Befugnisse in diesem ForumSie können in diesem Forum nicht antworten
 :: Kultura Kombëtare dhe Botërore :: Gjuha Shqipe (Letërsia)-
Gehe zu: